TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Në Tiranë u çel sot ekspozita “Duarartat”, e cila përmban 72 foto me punime artistike të 9 grave nga Shqipëria dhe 9 grave nga Kuvajti.

Kjo ekspozitë vjen si iniciativë e gruas së ambasadorit të Kuvajtit, Ebtisam Nasser Ibrahim AlHouti, e cila është fotografe. Sipas saj fokusi kryesor i kësaj ekspozite është të hedhë dritë mbi aspektin kulturor të grave zejtare në të dyja vendet dhe mbi punët e tyre krijuese, të cilat pasqyrojnë anën femërore dhe prekjet e tyre të veçanta artistike.

Në shkurt, shteti i Kuvajtit feston Ditën Kombëtare dhe Përvjetorin e Çlirimit. Kësisoj, fotografja Ebtisam El-Houti, shprehu dëshirën që nëpërmjet ekspozitës “Duarartat”, të ndante gëzimin festiv kuvajtian me popullin shqiptar, duke vënë theksin mbi marrëdhëniet e rrënjosura vëllazërore dhe vlerat njerëzore, sociale dhe kulturore midis dy popujve, atij kuvajtian dhe atij shqiptar.

Artistja Ebtisam El-Houti gëzon një personalitet që krejt natyrshëm tërhiqet nga e bukura dhe e kërkon atë. Atë e kanë tërhequr gjithmonë ngjashmëritë mes kombeve të ndryshme që ajo ka vizituar gjatë udhëtimeve të saj. Veçanërisht atë e inspiron e vërteta se si gra krijuese që u përkasin kulturave të ndryshme mund ta kuptojnë plotësisht njëra-tjetrën, pavarësisht formimit kulturor.

Kësisoj, artistja filloi të dokumentonte punën e disa artisteve femra të përzgjedhura nga dy vende që ndryshojnë sa i përket pozitës gjeografike, mjedisit rrethues, historisë, gjuhës dhe kulturës, dhe që janë disa milje larg njëri-tjetrit. Pra një përzgjedhje artistesh mes shtetit të Kuvajtit dhe Republikës së Shqipërisë. Artistet pjesëmarrëse u përkasin gjeneratave të ndryshme dhe rrjedhimisht edhe formimeve të ndryshme. Artistet në këtë projekt kanë niveleve të ndryshme arsimore, që nga ato të paarsimuarat deri tek ato të mirëarsimuarat.

Këto artiste përfshijnë studente, të punësuara, pensioniste dhe zonja shtëpie si dhe beqare, të martuara, nëna, gjyshe, dhe të veja. Në një përpjekje për ta pasuruar këtë projekt, u përzgjodhën një sërë veprash të ndryshme artizanale për një paraqitje sa më dinjitoze të duarve të arta, duke pasqyruar kështu gjuhën dhe kulturën e secilit vend.

Ishte dëshira e artistes për të hedhur dritë mbi shkëlqimin dhe vlerën e këtij arti të veçantë, i krijuar nga këto gra duararta, unike në llojin e tyre, dhe për të edukuar rininë mbi vlerën e këtyre veprave artizanale.

Kjo vepër është një përpjekje modeste e artistes Ebtisam që vjen si shenjë falënderimi dhe vlerësimi për këto gra duararta, veprat e të cilave jo vetëm që lidhin vërtetësinë e së kaluarës me vlerat e së tashmes, por madje shkojnë më tej duke ngritur ura përmes të cilave e tanishmja shkrihet në të kaluarën dhe tejkalon kufijtë e kohës dhe hapësirës.

Ebtisam dëshiron ta kthejë vëmendjen tek historitë krijuese të artisteve që ka intervistuar dhe të ketë mundësi të ilustrojë madhështinë që ka parë në personalitetin e tyre. Tek secila prej tyre shkrihen cilësi të një personaliteti paqësor dhe miqësor, të një shpirti të pastër dhe modest dhe të një karakteri të fortë dhe të vendosur. Këto artiste duararta, kanë një marrëdhënie të admirueshme dashurie me veprat e tyre të bukura artistike.

Vitin e kaluar, Ebtisam zhvilloi projektin e saj të parë fotografik: “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes” . Përmes një seti të zgjedhur fotografish, ajo nxori në pah përvojën e saj me popullin shqiptar, duke pasqyruar bukurinë dhe sensin e mikpritjes shqiptare.

Së fundmi artistja Ebtisam shpreson që ky projekt të promovojë artistet e cilësuara si “Duararta” dhe të dokumentojë arritjet e tyre.

Ekspozita do të qëndroj e hapur për publikun deri më datë 20 shkurt.

Link article: 

https://ata.gov.al/2020/02/17/foto-ekspozita-e-punimeve-artizanale-ben-bashke-duarartat-nga-shqiperia-dhe-kuvajti/?fbclid=IwAR3p4GxiJP2iYYQ9xh6d0c9ofWZhFR6IWd-oY86pkRrTw3QcsxXas9EiAIM