Në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes, autorja e ekspozitës Al-Houti nënvizoi, siç tha ajo, thellësinë e marrëdhënieve vëllazërore dhe vlerat njerëzore, sociale dhe kulturore midis dy popujve

Saimir Alija   |17.02.2020

Hapet ekspozita “Duart e arta në Kuvajt dhe Shqipëri” ( Olsı Shehu – Anadolu Agency )

Tiranë

Në Tiranë është hapur sot ekspozita me fotografi e fokusuar te punimet artizanale të grave me temë “Duart e arta në Kuvajt dhe Shqipëri”, me autore fotografen nga Kuvajti Ebtisam Nasser Al-Houti, bashkëshortja e ambasadorit të Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari Al- Jassim, raporton Anadolu Agency (AA).

Të pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së ekspozitës ishin presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ambasadorë, artistë, studentë dhe artdashës.

Në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes, autorja e ekspozitës Al-Houti nënvizoi, siç tha ajo, thellësinë e marrëdhënieve vëllazërore dhe vlerat njerëzore, sociale dhe kulturore midis dy popujve.

“Gjatë vizitave të mia, unë vazhdimisht përpiqem dhe kërkoj të gjej pika të përbashkëta ndërmjet popujve të kulturave të ndryshme. Gruaja është në gjendje ta kristalizojë gjithçka që qarkullon në mendjen dhe shpirtin e saj në vepra që ashtu heshturazi flasin pothuajse tërësisht për krijimtarinë e saj, të cilat kuptohen vetëm nga njerëz kreativë që shohin përtej të dukshmes”, tha ajo.

Ajo tha se nëpërmjet ekspozitës, ka pasur dëshirë të nxjerrë në pah madhështinë dhe vlerën e artit të zejtarisë, duke ndërgjegjësuar sipas saj të rinjtë dhe të rejat për t’u tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë e këtij lloji arti.

“Nëntë artiste femra duararta nga Shteti i Kuvajtit dhe Republika e Shqipërisë, të gjitha të specializuara në fusha të ndryshme artizanale, janë përzgjedhur për të marrë pjesë në këtë projekt. Ato u përkasin moshave dhe formimeve të ndryshme. Mes tyre vëmendje i është kushtuar edhe diversifikimit në artet e aftësive manuale me qëllim pasurimin dhe prezantimin e artit krijues në veprat e tyre të mrekullueshme të krijuara nga duart e tyre të arta për të folur veçmas për gjuhën dhe kulturën e secilit vend”, theksoi Al-Houti.

Ekspozita me 72 fotografi ku do të paraqiten punimet artizanale, kryesisht punime me dorë nga Kuvajti dhe Shqipëria organizohet nën kujdesin e autores së saj, Al-Houti, dhe do të jetë e hapur për publikun deri më 20 shkurt.

Fokusi i ekspozitës është të pasqyrojë zejtarinë dhe aspektet kulturore të grave zejtare në të dyja vendet dhe mbi punët e tyre krijuese.

Një vit më parë, Al-Houti, hapi ekspozitën me temë “Shqipëria, buzëqeshja e ndritur e mikpritjes”, mbi traditën e mikpritjes së shqiptarëve, veshjet tradicionale dhe historinë e qyteteve të Shqipërisë.

Link of the article:
https://www.aa.com.tr/sq/ballkani/hapet-ekspozita-duart-e-arta-në-kuvajt-dhe-shqipëri-/1736823